Zhbllokohet xhiro – llogaria e komunës së Gostivarit / Nisin investimet në terren

Pas rreth dy muaj me xhiro – llogari të bllokuar, Komuna e Gostivarit nga kjo javë i rikthehet normalitetit dhe investimeve. Puna e parë që është bërë, është asfaltrimi i një rruge në fshatin Banjicë e Epërme, tha kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Rruga ka gjatësi prej gjashtëqind metra, ndërsa në të parprakisht janë kryer edhe të gjitha instalimet nëntoksore, sikurse ujësjellësi dhe kanalizimi. Kryetari Taravari ripërsëriti se bllokimi është bërë me qëllim, gjë e cila sipas tij, e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e vështirë ekonomike si pasojë e krizës energjetike. Thekson se muajve të fundit, pos sigurimit të rrogave dhe pagesës së faturave për rrymë, nuk mbeten para tjera në buxhet. Me planifikimin e buxhetit për viti e ardhshëm, Taravari tha se do të ketë më tepër investime infrastrukturore.

“Komuna e Gostivarit vazhdimisht ka bërë investime, por nuk kemi bërë investime të mëdha sepse jemi munduar të kursejmë pasi që faturat e energjisë elektrike vijnë shumë të larta dhe ne pesë – gjashtë muaj paguajmë vetëm rrymë dhe rroga, plus bllokadat që na janë bërë rastësisht apo me qëllim, nuk e di, por besoj se kanë qenë me qëllim. Ne do të vazhdojmë me aktivitetet tona, asnjëherë s’i kemi ndalë, por besoj se viti 2023 do të jetë vit me shumë më shumë investime sesa viti 2022”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

I pyetur se sa është borxhi dhe sa para duhet të mbledh komuna nga taksat dhe obligimet e tjera, Taravari tha se janë diku shtatë milion euro para që duhet të hyjnë në arkën e komunës nga tatimet dhe obligimet e tjera, me çka la të kuptohet se nëse obligimet ndaj komunës do të shlyheshin me kohë, nuk do të figuronet as borxhi. Ai sqaroi se borxhi duket i lartë, pasi ndryshe nga e kaluara, tani llogaritet edhe sa para komuna i detyrohet ndërmarrjes komunale “Komunalec”. Sipas tij, nëse nuk llogaritet edhe borxhi ndaj kësaj ndërmarrje, ai është nën pesë milionë euro.

“Ne si komunë kemi për të marrë mbi shtatë milionë euro vetëm për taksat dhe nuk flas për obligimet e tjera që mund t’i marrë komuna. Por në këto shtatë milionë euro që e kemi si borxh, ne e kemi llogaritur edhe borxhin që e kemi pasur ndaj ‘Komunalecit’. Gjatë administrimit të BDI-së, këto borxhe nuk janë llogaritur, nuk janë futur në borxhe të komunës, e kanë llogaritur sikur nuk ekzistojnë ato borxhe. Këto borxhe që i kishte komuna prej të kaluarës dhe prej ‘Komunalecit’, ishin mbi dy milionë euro. Nëse edhe ne e llogarisim si në kohën e BDI-së, i bie se komuna ka nën pesë milionë euro borxhe. Por, ne nuk i fshehim borxhet, duam të jemi transparent dhe jo rastësisht jemi një ndër komunat më transparente të udhëhequr nga shqiptarët në Maqedoni”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.

Ndryshe, vetëm për dy faturat e fundit të energjisë elektrike, Komuna e Gostivarit ka paguar mbi 500 mijë euro.